Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj ka arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj Teutës, njërës prej rivaleve të saj. Rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë shumë i ngushtë, 64-63 në favor të shkodranëve. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh që kanë patur mundësi të shohin një rivalitet të bukur mes dy ekipeve. Kanë qenë vendasit ata që kanë fituar periodën e parë në shifrat 19-16. U duk se do ishin ata që do udhëhiqnin lojën vazhdimisht por nuk ndodh kështu teksa miqtë nga Durrësi, në periodën e dytë luajnë më mirë dhe e fitojnë atë me rezultatin 21-15. Pjesa e parë e ndeshjes mbyllet në favorin e Teutës që udhëheq me 3 pikë. Djemtë e trajnerit Bledar Gjeçaj nuk pajtohen me këtë gjë, e rrisin lojën e tyre dhe fitojnë periodën e tretë 14-12 por në total pas 30 minutash lojë, është sërish Teuta që udhëheq me 1 pikë më tepër. E katërta do ishte shumë interesante. Skuadrat kalojnë sa njëra aq dhe tjetra në avantazh dhe në fund fiton Vllaznia 16-14 dhe gjithë ndeshje, 64-63. Me këtë fitore, skuadra shkodrane i ka konsoliduar pozitat e saj në vendin e tretë në tabelën e renditjes tashmë në kuotën e 10 pikëve duke e lënë Teutën në të katërtin me 8 pikë. Me fitoren e arritura sonte, Vllaznia 99 për qind e ka siguruar një vend në katërshen e ekipeve më të mira të vendit që shkojnë në play-off.

www.shkodrasport.com