Pas shumë diskutimesh e komentesh duket se viti 2019 do t’i rikthejë Shkodrës stadiumin “Loro Boriçi”. Një lajm të tillë e ka dhënë kryebashkiakja Voltana Ademi sipas së cilës, ky stadium i takon Shkodrës dhe jo vetëm futbollit por edhe sporteve të tjera.

“Pretendojmë që në vitin 2019 të na kthehet stadiumi “Loro Boriçi” sepse i takon Shkodrës, e në këtë kuadër një pjesë e kërkesave që ka shumësportëshi për palestra, të mund të plotësohen dhe njëkohësisht edhe kërkesat që ka futbolli për stadiumin”- është shprehur fillimisht ajo.

Nga ana tjetër, kryebashkiakja ka shpjeguar se procedura e dorëzimit të këtij impianti sportiv ka nisur tashmë dhe kanë mbetur edhe disa procedura për t’u kryer. Po ashtu, Ademi ka bërë të ditur se ambjentet e tjera të stadiumit do të vihen në funksion të ekipeve të klubit shumësportësh Vllaznia të cilat kanë patur probleme me palestrat e stërvitjes.

“Ka nisur procedura e dorëzimit të dokumentacionit, ajo ka ardhur në Bashkinë Shkodër. Mbetet relacioni teknik që të përmbyllet kolaudimi i domosdoshëm i punimeve të kryera që është pjesë teknike dhe më pas sigurisht që Bashkia Shkodër do të marrë në dorëzim stadiumi.

Ndërkohë në hapësirat e tjera të tij, të destinuara për t’u përdorur, do të vihen në dispozicion edhe të ekipeve të tjera të klubit shumësportësh Vllaznia sepse e kanë domosdoshmëri një gjë të tillë për të patur kushte më të mira për stërvitje”- ështës shprehur Ademi.

Në këtë mënyrë duket se do të gjendet zgjidhja edhe për sportet e peshëngritjes, mundjes, çiklizmit dhe sporteve të tjera të cilët prej më tepër se tre vitesh stërviten në kushte aspak komode dhe kjo do të sjellë edhe rritje të cilësisë sportive.
© shkodrasport.com