I kthyer mbrëmjen e së premtes nga jashtë vendit ku kishte qenë prej ditësh, u mendua se gjatë ditës së sotme, kryebashkiaku- president i Vllaznisë Lorenc Luka pritej të merrej pak edhe me problemet e kësaj të fundit. Të paktën kështu ishte paralajmëruar. Jo më kot, edhe drejtuesit e lartë të klubit, administratori Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima, kanë tentuar gjatë ditës së sotme ta takojnë z.Luka disa herë por nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë dot.
Kjo ngaqë numri 1 i Bashkisë Shkodër dhe njëkohësisht i klubit Vllaznia ka patur shumë punë të tjera. Gjatë ditës së sotme, ai është parë nëpër ambjente të ndryshme të qytetit, nën shoqërinë e deputetëve të Shkodrës por edhe drejtuesve të tjerë të pushtetit lokal.Në kushte të tilla, ashtu si shumë herë të tjerë, njeriut të parë të qytetit nuk i ka rënë shumë ndër mend për futbollin. Fakti që nuk është shumë pasionant i kësaj fushe tashmë njihet prej të gjithëve dhe kjo reflektohet edhe tek qetësia e jashtëzakonshme me të cilën ai përjeton situatën tek ekipi i futbollit që financohet sivjet tërësisht me paratë e institucionit që ai drejton. Nesër është e dielë dhe me shumë mundësi sërish nuk do t’i takojë drejtuesit e klubit, të hënën është ndeshja në Tiranë dhe në këtë mënyrë gjërat do shtyhen. Pikërisht në momentin kur u paralajmërua se eliminimi nga kupa nuk do kalonte në qetësi, madje u përfol edhe për gjoba e ndëshkime të tjera por Lorenc Luka nuk do t’ia dijë për këto gjëra. Sigurisht sa të ketë angazhime të tjera më të rëndësishme për të bërë.
www.shkodrasport.com