Fitorja ndaj Erzenit të shtunën që kaloi i ka entuziasmuar të gjithë malësorët të cilët u bënë krenar me Veleçikun e tyre. Jo pak të tillë janë ndjerë edhe shkodranët sepse koplikasit “u bënë nder” duke ndalur rivalin kryesor të Vllaznisë e cila një ditë më pas, me fitoren ndaj Shënkollit e çoi sërish në shtatë pikë diferencën me shijakasit.

Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj për shkak të angazhimeve të tij nuk ka qenë i pranishëm të shtunën në “Reshit Rusi” për të ndjekur ndeshjen e Veleçikut ndaj Erzenit, megjithatë herëpashere është lidhur me pjestarë të stafit për të mësuar ecurinë e ndeshjes.

Në fund, kur ka mësuar për fitoren e Veleçikut, në një komunikim të shkurtër me “Shkodra Sport”, kryebashkiaku Marinaj është shprehur: “Unë ua kam thënë edhe kolegëve të tij drejtues të pushtetit lokal në Shkodër se pa Malësi nuk ka as Shkodër.

Të njëjtën gjë mund të them tani edhe për futbollin. Pa Veleçik, s’mund të ketë as Vllazni. Janë dy skuadra që janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën dhe nëse futbollistët shkodranë në vite kanë mbushur rradhët e Veleçikut, në momente të tilla si ky i kësaj jave, edhe Veleçiku ia ka shpërblyer”.
© shkodrasport.com