Teuta i ka dhënë dje fund pushimit 4-ditor që pas asaj fitoreje mjaft të rëndësishme ndaj Kukësit më 30 dhjetor në stadiumin “Elbasan Arena”. Koha e paktë në dispozicion është “armiku” kryesor në këto ditë të para të 2021-shit, pasi që të premten durrsakët janë të detyruar të zbresin në fushë për të zhvilluar kryendeshjen e javës së 13-të të kampionatit ndaj Vllaznisë, që do të luhet në Shkodër në orën 18:00.

Në ditën e parë të stërvitjes për këtë vit, pasi iu bë matja fillestare lojtarëve nga stafi, trajneri Edi Martini ndau skuadrën në disa grupe. Klubi vijoi me ekzaminimet mjekësore dhe testimet e zakonshme për këtë fazë, ndërsa paralel me këtë skuadra do të përqendrohet në realizimin e planprogramit të hartuar.

Dje stërvitja ka qenë më tepër e përbërë nga ushtrime me topin. Është punuar pak edhe me goditjet standarde, ndërsa duke filluar nga sot, seanca do të bazohet më tepër tek ana taktike, teksa Martini do të ndërtojë strategjinë për ndeshjen e së premtes në Shkodër.

MUNGESA – Fitorja ndaj Kukësit në fundin e vitit 2020 pati edhe një lajm jo të mirë sa i përket përbërjes së skuadrës në kuadër të kryendeshjes me Vllazninë. Mbrojtësi i djathtë maqedonas, Bllagoja Todorovski, do të mungojë ndaj shkodranëve, pasi ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Kjo e bën me “dhimbje koke” Martinin, paçka se alternativat nuk mungojnë.

Todorovski është një pikë shumë e rëndësishme, pasi jo vetëm bën mirë detyrat mbrojtëse, por ndihmon shumë skuadrën në daljet në sulm, duke krijuar superioritet numerik. Megjithatë, “xholi” i Martinit duket se është një shkodran.

Bëhet fjalë për Denis Pjeshkën, i cili sa herë mbrojtja durrsake ka pasur mungesa, ka ditur të përshtatet qoftë nga krahët, ashtu edhe nga qendra e këtij reparti. Edhe pse ende trajneri nuk ka punuar taktikisht me ekipin, duke provuar formacionin në kushte loje, gjasat janë që në vend të Todorovskit të luajë Pjeshka ndaj ishekipit.

AVANTAZHI – Sa herë Vllaznia ka qenë në momentet më të mira të saj, Teuta ka ditur të marrë pikë në “Loro Boriçi”. Edhe këtë herë durrsakët shkojnë në Shkodër me një moral të lartë, pasi në këtë transfertë kanë tri vite pa humbur.

Për herë të fundit Teuta e ka pësuar ndaj Vllaznisë si mysafire më 19 shkurt 2018, atëherë kur kuqeblutë fituan 2- 0 dhe shënonin Çinari e Malota që në pjesën e parë. Kujtojmë se në ndeshjen e fazës së parë në “Niko Dovana” nuk ka pasur fitues, teksa gjithçka u mbyll 0-0.