Vllaznia nuk ka kohë për të festuar kualifikimin në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi menjëherë ka zbritur në fushë për të nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Partizanit, e vlefshme për javën e 21-të të kampionatit.
Ky takim do të zhvillohet të dielën në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa interesimi nga tifozët pritet të jetë më i madh se çdo ndeshje tjetër e luajtur këtë sezon në Shkodër.
Ditët e fundit vetë klubi shkodran ka punuar edhe për marketingun dhe përmes tifozëve apo dhe figurave të njohura, po u bën një ftesë tifozëve për të ardhur në stadium dhe për ta mbështetur Vllazninë në këtë sfidë shumë të rëndësishme.
Vllaznia po kalon një moment të shkëlqyer me pesë fitore radhazi në kampionat dhe një tjetër kundër Partizanit do të arrinte me pikë këtë të fundit, duke marrë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Ekipi pret mbështetje të madhe nga tifozët për një tjetër triumf.