Ardit Krymi ishte largimi i parë nga Vllaznia në fund të këtij sezoni. Mesfushori energjik pas 8 sezonesh me skuadrën e tij të zemrës, ku u formua dhe konfirmua si futbollist tashmë do luajë në Bjellorusi. Pas 2 kupave të fituara rradhazi me kuqeblutë, 26-vjeçari do provojë fatin e tij tek ekipi i Shakhtar Solygorsky. Kjo do jetë edhe aventura e parë jashtë vendit për Krymin.

Një kampionat dhe një mentalitet futbolli i panjohur për shkodranin që do e gjejë veten në një nga ekipet protagoniste të futbollit bjellorus. Momentalisht skuadra e tij është në javën e 10-të të kampionatit dhe renditet në vendin e 5-të në renditje me 18 pikë, 5 më pak se kryesuesit e Bate Borisov.

Por Krymi duket se do gjejë dy futbollistë të njohur për ambientin tonë sportiv tek Solygorsky. Pjesë e skuadrës është edhe Valon Ahmedi. Mesfushori që ka qenë edhe pjesë e grumbullimeve të kombëtares shqiptare ndodhet prej dy sezonesh në Bjellorusi.

Ai është një titullar fiks dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Por një tjetër futbollist nga kampionati shqiptar që pritet ti bashkohet Shakhtar Solygorsky është edhe Vitor Feijao.

Sulmuesi i krahut që këtë edicion u aktivizua në rradhët e Kukësit duket se ka bindur bjellorusët me performancën e tij. Braziliani e mbylli sezonin me 6 gola në llogarinë e tij dhe tashmë duket për një hap tjetër në karrierën e tij sipas edhe informacioneve që kanë publikuar mediat sportive në Bjellorusi.
Endri ÇINARI