Vllaznia do të kërkojë që të festojë 100-vjetorin e krijimit klubit me një fitore. Një gjë të tillë e shpreh edhe mesfushori shkodran, Ardit Krymi. “Në radhë të parë dua që t’i uroj Vllaznisë, një jetë sa më të gjatë.

Është një kënaqësi e privilegj që në emër të ekipit të bëj këtë urim. Sot klubi ynë ka përvjetorin e 100-të të tij dhe natyrshëm nuk ka sesi të bëjmë urimin më të bukur tonin sesa të arrijmë një fitore ndaj Vorës.

Është një keqardhje që ky 100-vjetor na gjen në këtë kategori, por gjithsesi mendoj se këtu ku jemi po e bëjmë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë do të kërkojmë që ta bëjmë edhe në takimin përballë Vorës.

Alternativa e vetme e jona në këtë takim është të fitojmë. Nuk na duhen fare se çfarë do të kërkojnë kundërshtarët. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pavarësisht pozitave ku ndodhemi ne dhe kundërshtari. Vlerësimi ynë është maksimal”, u shpreh Krymi.

ASIST Vllaznia, ashtu si një javë më parë, pret një tjetër asist nga ekipet e tjera. Veleçiku frenoi Erzenin në Shkodër duke i dhënë Vllaznisë shansin që të shkëputej sërish me 7 pikë. “I kemi të gjitha shanset që sot ne të thellojmë diferencën me ekipet e tjera.

Nuk e përjashtoj asnjë mundësi që Shënkolli të ndalë Erzenin, por në radhë të parë duhet që ne të bëjmë detyrën tonë. Diferencat mund të shkojë në 9 apo 10 pikë, gjë që do të na lehtësonte punën për vazhdimësinë”, vijoi mesfushori.

PËRVJETORI Vllaznia sot mbush 100 vjeç. Shoqëria e parë kulturore sportive në vend, Vllaznia, është krijuar më 16 shkurt të 1919, si bashkim i dy shoqërive. Sot klubi më i vjetër në Shqipëri bën bilancin ku rendit sukseset e po ashtu edhe dështimet e tij. Gjithsesi, Vllaznia është emri që karakterizon Shkodrën dhe çdo shkodran. Vllaznia është feja e vetme që bashkon shkodranët dhe tifozët e këtij emri të madh së bashku.

Në këtë 100-vjetor, Bashkia e Shkodrës ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh jo vetëm sportive, por edhe kulturore. Ato do të startojnë sot me aktivitete sportive të fëmijëve të qytetit dhe do të vijojnë po sot pasdite me një ekspozitë në bibliotekën e qytetit. Por, aktivitetet do të vijnë edhe gjatë datave 17 deri më 21 shkurt, kur në teatrin “Migjeni” do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e këtij 100-vjetori.