Zërat e kohëve të fundit për kthimin te Real Madrid të Kristiano Ronaldos dhe transferimi i tij përsëri në Spanjë, duket se nuk është vetëm thashethem.
Ndërsa vetë portugezi hesht, Zinedin Zidan i ka hapur rrugë të gjithë spekulimeve të mundshme me fjalët që ka thënë sot, kur u pyet rreth kësaj teme.
I ngacmuar nga “Sky Sport” një ditë para ndeshjes me Atalantën, nëse kishte ndonjë gjë të vërtetë pas këtyre thashethemeve, Zidan tha fjalë që do të shtojnë edhe më shumë zërat. “Po, mundet… E njohim Kristianon, çfarë personi është dhe të gjithë atë që ka bërë këtu.
Por tani është një lojtar i Juventusit dhe duhet ta respektojmë këtë fakt, është i Juventusit”, tha fillimisht Zidan.
Gazetarët e ngacmuan nëse mund t’i gjente përsëri një vend në rreshtim Ronaldos, e Zidan evitoi të bënte komente më shumë se sa kishte bërë. “Tani të shohim, të shohim si do të jetë e ardhmja.
Unë kam pasur fatin që ta stërvit dhe ai është diçka e pabesueshme, por tani po ndihmon Juventusin”, tha trajneri i Realit. /vipsport/