Armando Broja e ka mbyllur për këtë sezon me futbollin e luajtur. Konfirmimi zyrtar ka ardhur edhe nga Çelsi i cili me një komunikatë zyrtare ka shpjeguar shkallën e rëndë të dëmtimit të futbollistit të kombëtares shqiptare të futbollit.
“Pasi pësoi një dëmtim në gju gjatë pjesës së parë të miqësores të së dielës ndaj Aston Vilës, Armando iu nënshtrua kontrolleve të tjera pas kthimit të klubit në Angli.
Rezultatet e skanerit nga këto kontrolle për fat të keq konfirmuan një këputje të ligamentit kroçiat dhe që nevojitet një ndërhyrje kirurgjikale.
Pas përfundimit të operacionit, Armando do të punojë me departamentin mjekësor të klubit gjatë rehabilitimit të tij dhe pritet që të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit 2022/23”, shkruhej në njoftimin e klubit.
Kështu, klubi bën të qartë se pret Brojën të gatshëm për t’u rikthyer në fushë vetëm për fazën përgatitore të sezonit të ardhshëm. Ndërsa në mediat britanike, ky shihet si versioni më optimist.
“Një periudhë jashtë fushe prej rreth 6 muajsh shihet si reale për Brojën nëse gjithçka shkon sipas planit, një periudhë kohe që do të lejonte Brojën të kthehej në fazën përgatitore. Skenari më i keq i mundshëm është 9 deri në 12 muaj”, ka shpjeguar “Daily Mail” në artikullin që i kushton dëmtimit i cili detyron Çelsin të futet në merkato për një sulmues gjatë janarit.