Anglia vjen në Shqipëri padyshim me petkun e favorites në duelin kundër Shqipërisë në rrugëtimin drejt Botërorit 2022. Meritë e emrave me cilësi të jashtëzakonshme që ka në përbërje ekipi britanik e ku spikat padyshim Herri Kejn.
Golashënuesi është kthyer në një nga armët më të forta të Anglisë në këto vite, siç e tregoi në Botërorin e vitit 2018, e vazhdon ta bëjë nga ndeshja në ndeshje për “tre luanët”. Por pakkush e di që për Kejn, ndeshja me Shqipërinë me siguri sjell disa kujtime të vjetra dhe interesante, pasi debutimin dhe golin e parë me fanellën e përfaqësueses së tij, ai e ka shënuar pikërisht kundër kombëtares tonë.
Një dekadë më parë, në tetorin e vitit 2010, Kejn ishte pjesë e përfaqësues U19 të Anglisë dhe asokohe rivalizonte për të qenë titullar me ish-sulmuesin e Tiranës, Majkëll Ngo. Megjithatë, në fazën kualifikuese të Europianit të kësaj grupmoshe, Kejn e nisi si titullar, duke luajtur në ndeshjen e parë kundër… Shqipërisë.
Kejn u bë menjëherë protagonist dhe në atë ndeshje, e cila përfundoi me shifrat 6-1 për “tre luanët”, ai shënoi 2 herë në portën shqiptare. Kësisoj, për Kejn kjo ndeshje do të jetë një kthim pas në kohë, duke shpresuar që këtë herë të ketë harruar të shënojë në portën kuqezi. /vipsport/