Pritja dhe ankthi për Skënderbeun mori fund. Dy lojtarët e Shkëndijës së Tetovës, që ishin të huazuar në Korçë edhe në sezonin e shkuar, do të bashkohen me ekipin ditën e diel duke vijuar aventurën si pjesë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Migen Memelli.
Gjithçka duket se është mbyllur dje, pasi trajneri i ri i Shkëndijës, Bruno Akrapoviç, ka dhënë pëlqimin e tij që të dy lojtarët Bekim Rexhepi dhe Leard Sadriu të mund të vazhdojnë sërish në huazim te korçarët, ashtu sikundër ishte marrëveshja në parim mes dy klubeve.
Ky duket se është lajmi më i mirë për Skënderbeun, që tashmë mund të kenë në përbërje dy nga lojtarët më cilësorë të sezonit të kaluar duke u kompletuar përfundimisht në prapavijën dhe portën. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë portieri Bekim Rexhepi, i cili ka bërë me dije se gjithçka ka përfunduar dhe marrëveshja është konkretizuar pasditen e së premtes.
Lajmi u është komunikuar edhe vetë lojtarëve në seancën stërvitore të së premtes te tetovarët, që mund të vijojnë aventurën si pjesë e Skënderbeut, ekip me të cilin do të bashkohen për të vijuar përgatitjet nga dita e diel. Mbrojtësi Sadriu u aktivizua me Skënderbeun në 18 ndeshje, me 1602 minuta në fushë, ku arriti të shënojë edhe një gol në transfertë ndaj Apolonisë.
Ndërsa portieri Rexhepi me besimin që i dha trajneri Memelli në fazën përfundimtare të sezonit të fundit, u kthye në një nga shtyllat e Skënderbeut, i cili në fund arriti që të sigurojë mbijetesën në Superiore, ku pa dyshim meritë pati edhe “gardiani” 24-vjeçar.
Rikthimi i Rexhepit i jep siguri Skënderbeut, pasi arrin të “blindojë” kuadratin e portës. Në lidhje me marrëveshjen e re të huazimit dhe vazhdimin e karrierës te Skënderbeu, portieri Rexhepi për “Panorama Sport” u shpreh: “Mund të them se marrëveshja është konkretizuar ditën e sotme dhe gjithçka është mbyllur më së miri.
Do të jemi pjesë e Skënderbeut edhe për sezonin e ri. Ka qenë një lajm mjaft i mirë për mua dhe më ka munguar shumë këto kohë, pasi doja që të vijoja aventurën te Skënderbeu për të vijuar kështu edhe rritjen time si lojtar.
Prej ditësh kemi qenë në bisedime me klubin dhe trajnerin për të mësuar të ardhmen, ndërsa dje gjithçka është bërë realitet. Do të bashkohemi të dielën me ekipin dhe do të jemi sërish pjesë e Skënderbeut. Mezi pres të jem në Korçë dhe të vihem nën urdhrat e trajnerit Memelli. Kam folur vazhdimisht me shokët, më kanë thënë se ekipi ka ndryshuar dhe është rritur cilësisht. Po pres ta shoh nga afër”.