Vllaznia do ketë një ndeshje tjetër shumë të rëndësishme në javën e 6-të të Superligës. Shkodranët udhëtojnë drejt Elbasanit të dielën për tu ndeshur me Kukësin. Verilindorët kanë bërë një start pozitiv të ku deri më tani kanë grumbulluar 8 pikë.

Por, në vitet e kaluara, Kukësi ka dalë më fitimtar në sfidat me Vllazninë. Që nga viti 2012 kur kuksianët janë ngjitur në Superligë, ky çift është ndeshur 31 herë.

Statistikat flasin në favor të kuksianëve të cilët numërojnë 15 fitore. 10 janë sfidat që janë mbyllur në barazim e ndërsa Vllaznia ka dalë fitimtare në këto vite vetëm 6 herë.

Shifra që flasin në favor të skuadrës së drejtuar nga trajneri italian, Longo. Mund të cilësohet se përveç Laçit edhe skuadra e Kukësit ka qenë një lloj “maceje e zezë” për kuqeblutë në këto sezone. Por, ato ndoshta ishin edhe vitet ku Vllaznia kaloi periudhën më të errët të saj.

Në Elbasan tashmë të dielën luhet një tjetër kapitull i kësaj ndeshjeje që në këto sezone ka pasur shumë përplasje interesante. Dy ekipe me mentalitet sulmues dhe që garantojnë për një tjetër takim cilësor të kampionatit tonë.
Endri ÇINARI