Erling Haland pa diskutim ka bërë që gjithë bota të thërrasë me zë të lartë emrin e tij, teksa paraqitjet e tij me Mançester Sitin kanë “çmendur” tifozët. Sulmuesi norvegjez i cili shënoi golin e tij të 20-të të sezonit në fundjavë, ka zbuluar burimin e energjisë dhe forcës së tij.

22 vjeçari tregoi se ai ushqehet me zemra, mëlçi dhe pi ujë vetëm përmes një sistemi të komplikuar filtri. Gjithashtu ai merr rreze dielli sapo zgjohet në mëngjes.

“Mendoj se ngrënia e ushqimit cilësor është gjëja më e rëndësishme. Njerëzit thonë se mishi është i keq, por cili? Mishi që merrni në McDonald’s? Apo lopa lokale që ha bar atje? Unë ha zemër dhe mëlçi.

Zemra dhe mëlçia janë superushqime të pasura me vitaminë B, hekur, fosfor, bakër dhe magnez. Gjëja e parë që bëj në mëngjes është të marr pak dritë dielli në sytë e mi pasi ndikon mirë në ritmin kardiak”, është shprehur Haland.

Sulmuesi është gjithashtu një adhurues i banjove me akull dhe syzeve që filtrojnë dritën blu për të përmirësuar gjumin e tij.