Dështimi i tratativës së Atdhe Rashitit për të shkuar te Ballkani, ku përflitej për një shifër afro 150 mijë euro, ka bërë që sulmuesi të qëndrojë të paktën deri në muajin janar te Kukësi. Në njëfarë mënyre mund të cilësohet si një përforcim, pasi në të kundërt Hallaçi do të duhej të mendonte për një tjetër lojtar në majën e sulmit. Gjithsesi, gazeta mëson se aktualisht sulmuesi vuan nga një dëmtim që do ta mbajë larg fushave për afro një muaj. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet pse ka dështuar kjo tratativë, me 24-vjeçarin që shpreson të rikthehet sa më shpejt me skuadrën dhe të japë kontributin e tij.
Në fakt, gjatë kësaj periudhe përgatitoreje ai thuajse nuk është provuar fare me ekipin, sepse shkoi fillimisht për huazim tek ekipi i Gjilanit për Kupat e Europës dhe më pas u lëndua duke qenë jashtë ekipit. Sipas të gjitha gjasave, Rashiti pritet të jetë i gatshëm për Kukësin nga fundi i muajit shtator, nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve.
Sezonin e kaluar ai luajti 13 takime dhe shënoi tre gola në kampionat, teksa te Kukësi u afrua në muajin janar. Këtë sezon ishte ndër të paktët që i “mbijetoi” furtunës se largimeve dhe ishte projektuar për të mbajtur peshën e sulmit. Megjithatë, në Kukës shpresojnë sa më parë te rikthimi i tij në fushë dhe të kenë një armë më shumë në repartin e avancuar.
LËVIZJET – Për aq kohë sa Rashiti do të jetë jashtë fushave, Hallaçi ka menduar lëvizjet në majën e sulmit për ta zbehur disi këtë mungesë. Shpresat më të mëdha aktualisht janë te sulmuesi peruan, Sebastian la Torre, i cili ka zhvilluar edhe disa takime miqësore me skuadrën dhe ka të dhëna të mira.
25-vjeçari ka fituar menjëherë besimin e stafit dhe në Kukës e shohin si një ndër zbulimet e këtij sezoni. Mesa duket, për momentin do të jetë ai pika e referimit në këtë repart, pa harruar se Hallaçi ka në dispozicion edhe dy afrime të tjera ne sulm, si Mario Beshiraj dhe Redi Veriu. Këtë fundjavë starton edhe kampionati, ndërsa Kukësi do të luajë në një transfertë të vështirë ndaj Vllaznisë dhe mbetet të shihet se cili do të jetë formacioni që do të startojë te verilindorët.