Kukësi do e mbyllë këtë vit të Superligës md transfertën e fundit kundër Vllaznisë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Longo rikthehet në Shkodër vetëm pas 4 ditësh, ku ditën e dielë mposhtën Partizanin në shifrat 2-1.
Tashmë në vendin e dytë me 27 pikë, vetëm 3 pas Tiranës dhe 3 sipër Vllaznisë, verilindorët do tentojnë ti bëjnë një mbyllje sa më të mirë këtij viti.
Dhe statistikat tregojnë që skuadra e Kukësit është ekipi më i mirë në transfertë. Blutë kanë zhvilluar 7 ndeshje si mysafir ku kanë grumbulluar 12 pikë, në këtë aspekt janë të parët, pasi pas tyre është Tirana me 11 pikë jashtë fushës së saj. Fitorja 1-3 kundër Egnatias javën e parë, barazimi 2-2 në Laç apo edhe ai 1-1 në Tiranë kundër Partizanit, tregojnë për forcën e këtij ekipi.
Po ashtu fitore në shifrat 0-1 kundër Dinamos në transfertë. E vetmja humbje për Kukësin këtë sezon deri më tani jashtë fushës së vet është ajo kundër Skënderbeut me rezultatin 2-1. Po ashtu fitorja 1-6 përballë Skënderbeut dhe barazimi 0-0 kundër Teutës plotësojnë dhe konfirmojnë statistikat si ekipi më i mirë jashtë fushe.
Vllaznia nga ana e saj është ekipi i dytë më i mirë për ndeshjet në shtëpi ku në 7 ndeshje ka grumbulluar 16 pikë. Më mirë ka bërë vetëm Tirana që ka marrë 19 pikë. Tashmë na mbetet të presim ditën e enjte se cila prej dy skuadrave do pasurojë shifrat e veta në përfundim të 90 minutëshit që do zhvillohet në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI