Dy sportistë të kombëtares australiane të regbisë, Adam Ashley-Cooper dhe Kurtley Beale, nuk do të jenë nesër në fushë në ndeshjen që kombëtarja e tyre do të luajë ndaj Anglisë. Arsyeja është se ata kanë future në dhomat e tyre persona të tjerë, më saktësisht femra, duke thyer rregulloren. Në fakt, ky episod ka ndodhur më 10 nëntor, në Kardif, një natë para ndeshjes ku Australia u mund 9-6 nga Uellsi.

Mediet australiane kanë bërë me dije se 3 femra, mes të cilave edhe kunata e Ashley-Cooper, janë parë jashtë hotelit deri në orën 22:30, ndërkohë që rregullat e skuadrës ndalojnë që mysafirët të qëndrojnë në dhomat e lojtarëve.

Trajneri i kombëtares australiane të regbisë, Cheika, tha se vetëm këtë javë ka mësuar për këtë ngjarje, ndaj dhe nuk ka marrë masë më parë, por dënimi do të aplikohet për ndeshjen e nesërme.

Bëhet fjalë për dy sportistë veteranë të kombëtares australiane të regbisë, që së bashku kanë zhvilluar mbi 200 ndeshje me fanellën e kombëtares, ndaj vendimi ka qenë i vështirë. Por janë respektuar rregullat e brendshme të skuadrës. Ata kanë qenë të pranishëm sot në stërvitje, por nesër nuk do të jenë në fushë./telesport/