Ekipi i Kukësit që do jetë përballë Vllaznisë ditën e enjte në “Loro Boriçi” është aktualisht skuadra që ka shënuar më shumë në Superligë. Kuksianët me 28 gola janë sulmi më i mirë i kampionatit, duke lënë pas Tiranën me 26 të tillë, por edhe Laçin e Vllazninë me nga 22 gola secila.

Pavarësisht se tek kuksianët e kanë gjetur rrjetën disa lojtarë gjatë këtij sezoni, në sy bie treshja e sulmit. Edi Baša është njeriu kryesor i sulmit kuksian dhe lojtari më i rrezikshëm. Kroati ka shënuar deri më tani 7 gola në kampionat, duke qenë në këtë mënyrë golashënuesi më i mirë i Kukësit, por edhe një nga më të mirët e kampionatit.

Pas nuk mbetet as Feijao. Sulmuesi brazilian me një teknikë dhe shpejtësi që vë në vështirësi çdo kundërshtar gjithashtu ka një marrëdhënie të mirë me golin. Ai ka shënuar 5 gola në këto javë kampionat. Për tu përmendur është edhe kontributi i Luka Milunovic. Serbi po ashti si Feijao ka shënuar 5 herë.

Një “tredhëmbësh” që mes tyre kanë shënuar 17 gola e patjetër që do jenë lojtarët e vëzhguar të mbrojtjes kuqeblu. Tek Vllaznia janë të “paralajmëruar” për cilësitë dhe aftësitë shënuese të kundërshtarëve, të cilët deri më tani këtë sezon kanë treguar një nivel shumë të mirë loje.
Endri ÇINARI