Gjatë karrierës së tij ka patur fatin ta ketë trajner për mbi një dekadë dhe po ashtu edhe ndihmës për shtatë vite. Nëse ka njeri që mund t’i bëjë profilin ashtu si duhet trajnerit më të suksesshëm në historinë e Vllaznisë- Xhevdet Shaqirit, ai është Ramazan Rragami.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” mjeshtri i mirënjohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar jep këtë vlerësim për Shaqirin:

“Jo vetëm si futbollit, por kam punuar me profesor Xhodën edhe shtatë vjet si zëvendëstrajner. Për mua mbetet një nga trajnerët më të mirë me të cilët kam punuar në karrierën time. Kam bashkëpunuar jo pak me të.

Shumë pedant, korrekt në përgatitjen e ekipit. Njohës i mirë i cilësive të lojtarëve dhe progresiv në drejtimin e ekipit duke promovuar gjithnjë elementë të rinj. Kuptohet që ka patur fatin të punojë edhe me një brez të mirë lojtarësh dhe prandaj u arritën ato rezultate gjatë atyre viteve”.

Sëbashku kjo dyshe ka fituar shumë trofe me Vllazninë e viteve ’70 dhe padyshim ky brez konsiderohet më i miri dhe më i suksesshmi në historinë e futbollit shkodran.
Gjergj KOLA