Aleksis Sançez po bëhet gati të mbyllë shumë më shpejt se sa mendohej aventurën e tij të dytë te Interi.
Sulmuesi kilian u kthye që të ishte përsëri protagonist, por nuk po e bën një gjë të tillë për shkak të dëmtimeve. Dhe tani, lamtumira e tij në janar duket e pashmangshme pas ofertave që ka marrë nga Arabia Saudite.
Klubi i Al Itihad po interesohet konkretisht për futbollistin, aq sa pjesë aktive e bisedimeve është bërë edhe Marcelo Gajardo, trajneri argjentinas i kësaj skuadre. Ish-tekniku i River Plejt, i njohur me nofkën “El Muneco” (Kukulla), ka telefonuar personalisht sulmuesin kilian, duke i shpalosur planet e tij.
Klubi arab ka në radhët e tij Karim Benzema, por paraqitjet e këtij edicioni bëjnë të qartë se vetëm francezi në vijën e parë të sulmit nuk mjafton. Ndaj priten investime të rëndësishme dhe afrimi i Aleksis Sançez në janar duket si hapi i parë i përmirësimit të skuadrës që për momentin është larg luftës për titull.