Një holandez realist si Ronald Kuman. Ai e di mirë që pavarësisht dëshirave për të dominuar kundërshtarin dhe për të luajtur bukur, në futboll duhet të kesh edhe të dhëna të tjera për të dalë fitues. Në një intervistë për gazetën “MARCA”, trajneri i “tulipanëve” jep leksione futbolli dhe tregon se e refuzoi Barcelonën.

Çfarë situate po kalon kombëtarja e Holandës?

Nuk u kualifikuam në Botërorin e fundit dhe kishim një rënie drastike. Diçka e tillë mund t’u ndodhë të gjitha skuadrave. Por nuk mendoj se mund t’i ndodhë Italisë dhe Spanjës, sepse ata kanë një kompeticion kombëtar shumë më të fortë sesa ai i Holandës. Nuk duhet të harrojmë që u larguan futbollistë si Shnajder, Roben, Van der Vart apo Van Persi. Që nga koha kur ata mbyllën karrierën me kombëtaren, kjo gjë ndikoi shumë. Tani kemi talente si De Jong apo De Ligt, por janë të rinj dhe kanë nevojë për kohë.

A është i paprekshëm stili holandez për të mbërritur te rezultatet?

Skuadrat holandeze kanë një problem të madh, sidomos kur luajnë me ekipe kundërshtare që janë më të fortë fizikisht. Ne duam që të fitojmë duke dominuar, duke luajtur futboll sulmues, por aspekti fizik është shumë i rëndësishëm në futboll dhe ne këtu kemi pak probleme.

Shembulli konkret është ndeshja Ajaks-Getafe. Në Holandë kritikojnë Getafen që shkaktonte shumë faulle dhe humbte kohën, por ata kishin ndeshjen e tyre dhe u kualifikuan. E gjithë bota dëshiron të shikojë 90 minuta spektakël, por ata luajtën 42 minuta ndeshjen e parë me një rendiment të lartë. Holanda ka shumë taentet, të cilët duhet të rriten. Na mungon fiziku dhe mentaliteti, por e dimë si do të përmirësohemi. Në futboll nuk ekziston vetëm topi, por ka edhe aspekte tët tjera për të fituar një ndeshje.

Pra duhet një ndryshim stili për të arritur suksesin?

Te Barcelona për shembull stili është i njëjtë, por futbolli ndryshon me kohën. Ka shumë mënyra për të shkuar në Romë. Loja më atraktive dhe më e bukur është me 3 sulmues, por po shohim skuadra të tjera që me 4-4-2 po luajnë në mënyrë të shkëlqyer. Atalanta gjithashtu luan me 5 mbrojtës, por bën një futboll spektakolar. Më pëlqen filozofia për të ndryshuar, por në fund rezultati është ai që ka rëndësi.

Besoj se e di çfarë peshe dhe përgjegjësie ka të jesh trajner i Holandës?

Unë jam një trajjner që mendoj më shumë për të zotëruar topin sesa të mbrohem, por të mbrohesh është pjesë e futbollit dhe duhet bërë. Jam më shumë realist sesa disa holandezë. Në trajektoren time si trajner i Ajaksit apo PSV-së kam marrë rezultate shumë të mira edhe ndaj ekipeve më të forta, edhe pse gjithmonë kishim mënyrën tonë.

Më pëlqen që të luaj me topin që nga mbrojtja, por ndonjëherë kalojmë në vështirësi kur skuadra kundërshtare të bën presion. Gjithçka varet nga lojtarët që ke në dispozicion dhe nga kundërshtari. Ndonjëherë duhet të luash me top të gjatë. Në Holandë nxjerrim shumë talente, por duhet që të punojmë shumë me aspektin mbrojtës dhe aspektin fizik. Duhet që ta ndiejmë kombëtaren.

Çfarë do të thotë kjo?

Më mahnitin italianët me mënyrën se si e këndojnë himnin. Ne jemi të ndryshëm, shumë të ftohtë. Në ditën e parë që mora drejtimin e skuadrës iu thashë lojtarëve që të jenë krenarë për kombëtaren dhe duhet ta mbrojnë vendin e tyre. Pak vite më parë njerëzit humbën interesimin për kombëtaren sepse nuk po kualifikoheshim, por tani gjërat janë ndryshe.

Ju keni fituar ndaj kombëtareve si Anglia, Gjermania dhe Franca. Çfarë të ka pëlqyer më shumë nga skudra juaj?

Ndryshimi i madh erdhi në ndeshjet kundër Francës në Ligën e Kombeve. Ndaj tyre kuptuam që nuk jemi inferiorë, edhe pse ata kanë fituar Kupën e Botës. Në ndeshjen e dytë fituam 2-0 dhe është ndeshja më e mirë që kemi bërë në këtë trajektore. Të dish që mund të fitosh edhe ndaj Francës është diçka e rëndësishme.

Pra, Holanda ndihet më e fortë tani?

Po. Kemi lojtarë që kanë bërë një Champions të çmendur sezonin e kaluar dhe fituan 4-1 ndaj Realit të Madridit. Të rinjtë këtu nuk kanë presion dhe mund të shpërthejnë. Kemi lojtarë si De Ligt, De Jong dhe shumë të tjerë në Angli.

Po kombëtarja e Spanjës si ju duket?

Shumë e fortë. Mund të ketë 3 formacione të ndryshme me të njëjtin kualitet. Ne nuk mund ta bëjmë këtë. Spanja ka të rinj, por edhe lojtarë që kanë fituar gjithçka. Holanda ka lojtarë që sapo kanë nisur të luajnë në kompeticione të mëdha. Spanja ka ndryshuar shumë futbollistë në ndeshjet e fundit, ndërsa ne kemi një ekip më të qëndrueshëm.

Çfarë të pëlqen më shumë nga kjo skuadër?

Fakti që dëshiron të dominojë gjithmonë, fakti që bën shumë ndryshime pozicionesh dhe teknikisht janë shumë të mirë. Spanja është favorite për Europianin, por do të më pëlqente të përballesha me ta.

A ju telefonoi Barcelona disa muaj më parë për të zëvendësuar Valverden?

Po. Më telefonuan, por unë iu thashë jo. Kisha një pakt me kombëtaren e vendit tim dhe nuk mund ta prishja. Të shohim se çfarë do të ndodhë më vonë. Për momentin jam i fokusuar vetëm te Holanda.

Mos e refuzuat për faktin se Barcelona nuk ishte në situatë të mirë?

Jo. Nuk ka lidhje me këtë. Madje mendoja të kundërtën, që ishte moment i mirë për të marrë drejtimin e skuadrës. Problemi është që nuk mund të braktisja Holandën.