Roland Kuman nuk habiti askënd kur deklaroi pas fitores me Gjermaninë se skuadra e tij duhet të kishte fituar më thellë. Tekniku i “tulipanëve” nuk u besoi syve kur pa skuadrën e tij të pësonte gol në startin e takimit, pasi kjo e fundit kishte marrë frenat e lojës në dorë. Por në fund, besimi dhe sakrifica e djemve të tij u shpërblye me një fitore të thellë.

“Çfarë mbrëmjeje fantastike”, tha trajneri. “Me një fitore 4-2 që mund të kishte qenë më e thellë për ne nëse do të tregoheshim më të saktë përpara portës. Por djemtë bënë gjithçka për të fituar duke mos u dorëzuar në asnjë moment”. Kuman është i sinqertë në fjalët e tij kur tha se gjermanët mund ta kishin mbyllur takimin që në pjesën e parë. “Pas 1-0, ata kishin shansin të shkonin në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0 në favor të tyre.

Vuajtëm për të luajtur një futboll midis reparteve. Me Babel ngjitur me Depain, u munduam të sulmonim me më shumë forca në portën e kundërshtarit. Por kjo nuk funksionoi mirë. Pjesën e parë nuk ishim aspak të rrezikshëm dhe kundërshtari mund të kishte përfituar”. Por kthesa për holandezët erdhi vetëm në pjesën e dytë.

Me dy ndërrimet e kryera në startin e 45 minutave të dyta, Kuman mori frenat e lojës në dorë. “Biseduam në pushimin e ndeshjes dhe ishim të gjithë të mendimit se duhet të vazhdonim me sulmet tona drejt portës kundërshtare. Por kjo duhet të ndodhte më shpejt dhe më shpesh. Sigurisht që rreziku për të pësuar ishte më i madh.

Gjermania nuk ia doli të bënte lojën e saj dhe ne përfituam në maksimum. Edhe pse u ndëshkuam me një penallti kundër, nuk u dorëzuam dhe vazhduam të besonim në forcat tona. Sot (dje) djemtë janë të lirë të shijojnë fitoren, por të hënën duhet të mendojmë sërish për futboll. Ndaj Estonisë na pret një ndeshje jo e lehtë. Do t’i kërkoj skuadrës të luajë njësoj si ndeshjen e fundit. Ata janë profesionistë dhe e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë”, përfundoi Kuman.