Kampionati do i lërë radhën Kupës së Shqipërisë ditën e sotme, teksa luhen ndeshjet e 1/8-tave. Klubet të cilat aktivizohen në Kategorinë Superiore cilësohen favorite në letër për të prekur çerekfinalet, pasi ndeshen me skuadra të Kategorisë së Parë. Ndeshjet e sotme luhen të gjitha në orën 14:00 dhe janë me sistem vajtje-ardhje.

Kështu kryesuesit e kampionatit, Kukësi, sfidon në transfertë Lushnjen. Megjithatë, verilindorët nuk janë krejtësisht të panjohur me terrenin e fushës Roza Haxhiu duke qenë se e kanë përdorur gjatë sezonit. Trajneri Shpëtim Duro do ketë mundësinë e rrotacionit, por gjithnjë me synimin për të kaluar më tej pasi eliminimi në këtë raund do ishte një dështim.

Sakaq, Tirana e cila është edhe skuadra më në formë e Superiores me pesë fitore radhazi, kërkon të ruajë shkëlqimin edhe në Kupë. Bardheblutë luajnë në transfertën e Krujës, ku përballë janë vendasit e Kastriotit. Ndërkohë, Partizani pas dy humbjeve radhazi mund ta përdorë si llaç ndeshjen ndaj Besëlidhjes. Tekniku Sormani gjithashtu kërkon fitoren e parë me të kuqtë.

Skënderbeu udhëton drejt Kavajës për të matur forcat me Besën, ndërsa Teuta shkon në Shijak, ku përballë ka Erzenin. I vetmi duel ndërmjet dy skuadrave të Kategorisë Superiore është ai i Shkodrës. Vllaznia pret Flamurtarin, teksa këto dy ekipe u përballën edhe pak ditë më parë në të njëjtin stadium, e fitimtarë dolën vendasit me rezultatin 2-0. Ndërkaq, sfida mes Bylisit dhe Laçit do luhet ditën e nesërme. /VipSport/

Ndeshjet:

Grupi A

14:00 Besëlidhja- Partizani

14:00 Erzeni- Teuta

14:00 Vllaznia- Flamurtari

14:00 Kastrioti- Tirana

Grupi B

14:00 Lushnja- Kukësi

14:00 Besa- Skënderbeu

14:00 Apolonia- Luftëtari