Ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në pragndeshjen me Dinamon dhe tashmë gjithçka është gati për këtë sfidë e cila është vlerësuar maksimalisht prej tij.
Por në seancën e sotme e cila është zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” ka dalë në skenë një problem për stafin teknik ngaqë ka munguar njëri prej titullarëve.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Olsi Gocaj i cili nuk ka qenë i pranishëm në këtë seancë, por nga sa merret vesh lojtari ka kërkuar leje tek stafi teknik sepse ka patur një angazhim personal dhe e ka patur të pamundur të jetë në stërvitje.
Në kushte të tilla, trajneri Lika e ka zëvendësuar atë me Markun në pak minuta lojë që ka zhvilluar. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Gocaj do të jetë i gatshëm për nesër apo jo.
Në rast të kundërt, në rolin e mbrojtësit të majtë do të luajë Antonio Marku, i cili edhe javën e kaluar në Peshkopi ka qenë titullar dhe ka zhvilluar një ndeshje të mirë.
Pavarësisht fakti se kush do luajë, objektivi i Vllaznisë është i qartë edhe për këtë ndeshje: Ajo duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Dinamos, për të vazhduar rrugën e saj drejt Superligës.
© shkodrasport.com