Ditën e sotme, te Vllaznia është mbyllur puna intensive për ndeshjen e rradhës ndaj Partizanit, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme, në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në kampin shkodran, atmosfera ka qenë e mirë, por stafi teknik, me në krye trajnerin Elvis Plori, ka punuar me skuadrën për ta mbajtur atë në tonus dhe të gatshme për një tjetër betejë për Europën. Distanca me vendin e tretë është jo e largët, por jo për skuadrën dhe stafin teknik, që kërkon me ngulm përqendrim dhe përkushtim.

Lajmi i mirë për skuadrën është se i gjithë grupi është stërvitur i plotë gjatë këtyre ditëve, përveç sulmuesi brazilian, Victor Da Silva, që mungoi edhe në ndeshjen e shkuar ndaj Teutës.

Me Partizanin, synohet një tjetër rezultat pozitiv, që nëse do të arrihej, do të thoshte më shumë frymëmarrje për vazhdimësinë, pasi përballë është një rival direkt për Europën.

Ecuria e skuadrës së drejtuar nga Elvis Plori, nuk ka qenë fort pozitive, por duke qenë se është edhe një fazë për të luajtur, drejtuesit kërkojnë nga lojtarët të mos e humbasin vigjilencën, por të vlerësojnë çdo kundërshtar, duke filluar nga ndeshja ndaj Partizanit.

Duke parë mënyrën se si shkoi ky sezon, shkuarja e Vllaznisë në Kupat e Europës, do të ishte një diçka pozitive, duke pasur parasysh edhe rivalitetin e madh.
Maringlen ZHIVANI