Një muaj e gjysëm para nisjes së sezonit të ri futbollistik, disa prej skuadrave të Superligës shqiptare ende janë formatuar siç duhet dhe për më tepër, të kenë menduar për nisjen e stërvitjes. Në të njëjtat pozita ndodhet edhe Vllaznia, skuadër e cila në fakt ditët e fundit ka patur lëvizje në rradhët e saj, duke treguar se gjërat mund të shkojnë për mirë.
Firmosja e kontratave me dy futbollistët, Herald Marku dhe Dajan Shehi janë tregues i një ndryshimi për mirë në këtë mes, megjithatë nuk mjaftojnë. Çështja kryesore e cila duhet zgjidhur sa më parë, është ajo e trajnerit që do të drejtojë kuqeblutë në sezonin e ri. Po flitet jo pak në këtë drejtim dhe pista kryesore duket se është sërish ajo e Agim Canajt.
Trajneri që e drejtoi Vllazninë në javët e fundit të sezonit të kaluar, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar punën dhe gjatë kësaj periudhe ka patur edhe kontakte me administratorin Lici, por ende nuk ka një vendim përfundimtar rreth tij. Kjo ngaqë nga sa mësohet, drejtuesit e klubit janë duke parë mundësinë për të sjellë një trajner të huaj në krye të skuadrës, por deri tani nuk ka patur asgjë konkrete.
Me siguri që brenda kësaj jave edhe kjo çështje do të marrë zgjidhje përfundimtare sepse nuk mund të shtyhet më. Gjasat janë që t’i besohet sërish Canajt, por nuk përjashtohet edhe ndonjë opsion i minutave të fundit. Ajo që duhet është marrja e një vendimi përfundimtar sa më shpejt sepse Vllaznia duhet të dalë në stërvitje, pse jo duke filluar nga java e ardhshme.
Përzgjedhja e trajnerit do të pasohet më tej me kontrata të tjera me futbollistët e piketuar teksa flitet për lojtarë brazilianë por edhe shkodranë që kanë luajtur me ekipe të tjera dhe janë të gatshëm të rikthehen sërish në qytetin e tyre.