“Kush mendoni se do ta fitojë kampionatin botëror dhe pse?”. Ishte kjo pyetja që “Panorama Sport” u bëri dje 10 trajnerëve që drejtojnë në elitën e futbollit shqiptar ose ndryshe Kategoria Superiore. Me sa duket, Brazili është ai që ka preferencat më të mëdha, pasi 4 prej kwtyre trajenerëve kanë zgjedhur Brazilin si fitues më të mundshëm të turneut. 

XHEVAHIR KAPLLANI
Për trajnerin e Erzenit, Xhevahir Kapllani, ky Botëror do të fitohet nga Brazili. Durrsaku jep edhe disa arsye konkrete pse ka arritur në këtë konkluzion. “Jam tifoz i Brazilit dhe mendoj se duhet ta fitojnë për disa arsye. Së pari, kanë një skuadër solide dhe me entuziazëm. Së dyti, kanë kompaktësi në të gjitha repartet. Të gjithë lojtarët i kanë në top-formë dhe kryesorë në klubet ku luajnë. Duke parë edhe Nejmarin, i cili ka deklaruar se do të jetë Botërori i tij i fundit, mendoj se do të bëjë gjithçka për të fituar trofeun dhe të jetë një nga futbollistët që do të mbahet mend gjatë si fitues”.

MIREL JOSA
Edhe trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, sheh Brazilin si favorit. “Them Brazili, sepse është një skuadër që për momentin dhe kohën që luhet ky kampionat, ka lojtarët në gjendje më të mirë fizike, duke iu referuar ligave në të cilat luajnë. Ka shumë lojtarë në formë me aq sa kam parë”, theksoi Josa, i cili në fakt është një trajner që si preferencë ka Italinë, e cila nuk merr pjesë këtë edicion në Botëror. “Të them të drejtën, ka kohë që nuk e shikoj më futbollin me tifozllëk. Megjithatë, ai ekip që unë mbështes dhe simpatizoj ndër vite nuk është në këtë Botëror të Katarit (qesh). Meqë Italia nuk merr pjesë, skuadër më të fortë shikoj Brazilin, për arsyet që përmenda më lart”.

ENKELEID DOBI
Trajneri i Kukësit është i qartë për skuadrën që sipas tij do t’ia dalë të fitojë kampionatin botëror. “Them se e fiton Brazili këtë herë. Mendoj kështu për arsye se është ekipi që ka formën, stabilitetin dhe më solid se rivalët në kohët e fundit”, theksoi Enkeleid Dobi, i cili përpara se të merrte drejtimin e Kukësit, ka punuar në Poloni.

EDI MARTINI
Edi Martini nuk është shumë i përfshirë në atmosferën e këtij Botërori, në një kohë që dje nisi zyrtarisht punën si trajner i Teutës. “I shohë shumë pak ndeshjet t’ju them të drejtën. Nuk kam ndonjë kënaqësi të madhe për t’i parë”, thotë fillimisht shkodrani, ndërsa më pas për skuadrën që mendon se mund të fitojë në fund, jep këtë përgjigje: “Kam dëshirë ta fitojë Brazili, pasi jam tifoz i tyre”.