Barazimi 2-2 ndaj Valencias, të shtunën në “Camp Nou”, trazoi sërish ambientin te Barcelona, që e sheh veten thuajse jashtë garës për titullin kampion, me 8 pikë më pak se Atletico e Real Madrid, që kryesojnë renditjen.

Së fundi në mediat spanjolle kanë filluar të qarkullojnë zëra për një shkarkim të mundshëm të trajnerit holandez Ronald Koeman, por presidenti i përkohshëm e katalanëve, Carles Tusquets ka hedhur poshtë gjithçka dhe ka konfirmuar mbështetje të plotë për teknikun.

“Nuk shkarkoj askënd, për asnjë arsye. Për më tepër, Koeman po bën shumë mirë, pasi ka kritere të larta, është i angazhuar me kanterën e të rinjtë dhe do të ketë gjithmonë suportin tim. Një ditë drekova me të dhe kuptova se pavarësisht situatës, është mjaft optimist e i bindur që do të marrë frytet e punës”, u shpreh Tusquets.

Ronald Koeman mori drejtimin e Barcelonës në muajin gusht, pas shkarkimit të Quique Setien, si i përzgjedhuri i ish presidentit Bartomeu, por ky i fundit dha dorëheqjen nga posti, për shkak të klimës së mosbesimit. Kujtojmë që zgjedhjet për presidencën e ardhshme të Barcelonës do të mbahen në muajin janar.