Trajneri i Laçit, Skerdi Bejzade, u shfaq shumë i lumtur, për fitoren e thellë 6-1 ndaj Teutës.Për MCN TV, Bejzade deklaroi se stilin e lojës së kundërshtarit, e zbuloi në stërvitjen para ndeshjes.

Tekniku i kurbinasve, shfaqi habi, për faktin se Teuta e tregoi stilin e lojës në nxehje, por kjo ia bëri më të lehtë skuadrës së tij.

“Ne e treguam veten edhe ndaj Partizanit, ku luajtëm mirë, por humbëm në fund. Sot edhe pse kishim mungesa, ata që u futën, treguan nivel të lartë. E mira do ishte që të kishim dalë pa pësuar gol.

Objektivi është të fitojmë çdo ndeshje dhe të japim maksimumin. Me këta lojtarë që kemi, duhet të bëjmë diçka. Ia dolëm të marrim edhe dy lojtarë të rinj. Melo është lojtar me potencial, mendoj se do tregojë vlerat e tij.

E pamë që Teuta doli 2-2 me Tiranën, bënte presing lart. Nuk e kisha parë Teutën me detaje. Këto mi treguan me detaje në stërvitje. Ma bënë më të lehtë. E treguan lojën e tyre gjatë nxehjes. Më bëri çudi dhe për mua ishte e lehtë, për t’ia treguar lojtarëve.

Laçi ka objektiv të fitojë çdo ndeshje. Nuk kemi frikë asnjë kundërshtar. Më bëri përshtypje edhe gjykimi, 2-3 faulle të sulmuesit. Duhet edhe një gjykim korrekt, për javët e ardhshme”- eshte shprehur Bejzade.