Java e 4-të e Superiores është e ndarë në 3 ditë në këtë raund. Ditën e djeshme kjo javë u hap me duelin Erzeni-Dinamo City. Ku shijakasit fituan në shifrat 2-1. Sot ky raund vijon me duelet Kukësi-Tirana dhe Partizani-Egnatia. Ndërsa java mbyllet nesër me ndeshjet Laçi-Vllaznia dhe Teuta-Skënderbeu.

Për tu ndalur tek ai që shumë kush e quan si “derbi i veriut” mes Laçit dhe Vllaznisë parashikohet një duel interesant. Kurbinasit pas ardhjes së Bejzades në stol duket se kanë një marsh tjetër. Këtë e vërteton edhe fitorja në shifrat e thella 6-1 kundër Teutës së fundmi. Nga ana tjetër edhe ekipi i Memellit kërkon të vijojë me rezulatet pozitive.

Pavarësisht se loja ndoshta nuk është aty ku kërkon publiku shkodran, skuadra nuk ka pësuar ende humbje në 3 javë. Por nga ekipi kuqeblu pritet ndoshta edhe një reagim tjetër në këtë javë. Sulmi kuqeblu ka gëzuar formë të mirë në këtë fillim sezoni. Dhe me një ekip si Laçi që ka pësuar 5 gola në 3 javë, diçka e tillë mund të tentohet.

Ajo që ndoshta është kundër kuqebluve, janë statistikat e transfertave në Laç. Kjo pasi në 9 vitet e fundit shkodranët kanë fituar vetëm dy herë si miq. Në vitin 2014 në shifrat 0-2 dhe në vitin 2021 në shifrat 3-5. Shifrat patjetër vlejnë për historikun, por se çfarë do ndodhë nes dy skuadrave kësaj rradhe duhet të presim deri nesër në orën 15:00.
Endri ÇINARI