Peter Pakult do të jetë trajneri i ri i Laçit. Edhe pse klubi kurbinas nuk e ka zyrtarizuar ende marrëveshjen me austriakun. “Panorama Sport” mëson se nga burime të sigurta se palët kanë rënë dakord për gjithçka dhe sipas të gjitha gjasave, të hënën më 14 dhjetor, do të bëhet edhe prezantimi i Pakult. Laçi luan ndeshjen e radhës të dielën ndaj Teutës në Durrës dhe pritet që austriaku të jetë në tribunë për të ndjekur skuadrën përpara se të zbresë vetë në fushë 24 orë më pas nën drejtimin e saj.
pakult
Së fundmi për marrëveshjen mes Laçit dhe trajnerit 61-vjeçar kanë shkruar edhe mediat austriake, të cilat konfirmojnë lajmin e raportuar tri ditë më parë nga gazeta.
Pakult është një emër i madh i trajningut në Austri, ndërsa ka edhe një eksperiencë të shkurtër nën drejtimin e Kukësit në periudhën janar-korrik 2018. Austriaku u largua me polemika nga kampionati shqiptar, por gjithsesi agjenti i tij, shkodrani Marjan Prela, mesa duket e ka bindur tashmë për të marrë drejtimin e Laçit, që këtë sezon ka objektiva madhorë. Për herë të fundit Pakult ka drejtuar klubin malazez, OFK Titograd në vitin 2019, ndërsa në të kaluarën skuadrën e famshme austriake, Rapid Vjenë.
Gjithashtu, ai ka qenë trajner në klubet gjermane Mynih 1860, Dinamo Drezden dhe Lajpcig. Ndërkohë, pas humbjes në shtëpi ndaj Tiranës, kurbinasit vazhdojnë përgatitjet në kuadër të transfertës me Teutën.
Dje nën drejtimin e Klevis Himës, skuadra u stërvit në një nga fushat e kompleksit të Kamzës. Pritet që grupi të jetë më i plotë, teksa titullarë si Albion Marku dhe Lukas Ramos, mund të rikthehen. Të dy munguan në ndeshjen ndaj Tiranës për shkak të dëmtimeve.







