Ka punuar per disa vite tek Tirana dhe eshte serish tifoz i kesaj skuadre, por Arbi Laçi di te vleresoje ashtu si duhet edhe Vllaznine aktuale. Gjate prononcimit te tij ne “Sport time”, njeriu qe tashme punon si Shef i Garave ne Ligen Profesioniste, duke folur ne teresi per kampionatin aktual, ndalet edhe tek Vllaznia per te cilen thote:

“Kampionati më duket mirë. Ka nisur me vonesë. Një kampionat i çuditshëm, i çuditshëm edhe për shkak të post-pandemisë për faktin që u detyruam të mbyllnim vonë kampionatin që lamë pas dhe u detyruam të nisnim vonë këtë që nisëm për shkak të bojkotit. Ka nisur mirë, shoh që në 10 ditët e fundit, skuadrat po gjejnë ritmin që do të donin prej fillimit.

Është normale duke qenë se vera u mbyll vonë dhe kampionati nisi me vonesë. Shoh që tani kanë gjetur ritmin për të bërë detyrat për objektivat respektive që kanë. Shoh një numër të madh skuadrash që kanë pretendime madhore. Një pjesë prej tyre e kanë gjetur, një pjesë prej tyre jo.

Më argëton Vllaznia shumë, nëse do ta dëgjosh (i drejtohet Lei Krajës), edhe nëse nuk do nuk ka problem. (Qesh). Më argëton, jo vetëm për faktin që luan futboll shumë të bukur, gjë që e thonë dhe shohin të gjithë, por shoh që kanë një detaj shumë të ngjashëm me Tiranën time vjet.

Realisht kanë dëshirën dhe entuziazmin, gjë që i bën shumë të bashkuar. E përcjellin, e transmetojnë në përditshmëri. Festojnë bashkë, i kam parë që e kaluan, e superuan atë momentin e humbjes me Kukësin. Shoh që vërtetë kanë një kimi, stafi, lojtarët dhe gjithë ingranazhet e klubit pavarësisht se mund të ketë problematika, që më mirë mos t’i përmendim se nuk është se i zgjidhim.

Nëse nuk zgjidhen, do të vijë një moment që do të interferojë, do jetë shumë e dëmshme dhe do më vinte shumë keq nëse do të ndodhte ashtu. Ky unitet, kjo formulë që kanë gjetur, uroj që të zgjasë sa më shumë dhe të jetë pse jo, një realitet si pretendues për titullin dhe pastaj ta fitojë kush ta meritojë”.