Laçi prej ditësh ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen në turin e parë të Konferencë Ligës së Europës. Pas përfundimit të sezonit kurbinasit janë përfshirë në fazën e hyrje-daljeve në ekip, ku për momentin të larguarit janë më të shumtë. Kërçiku, Selmani, Rapo, Nuabueze, Sali, Obanor, Musta, si dhe Xhixha janë të larguarit nga kurbinasit.

Nga ana tjetër drejtuesit po tregohen më aktivë, në mënyrë që trajneri Shpëtim Duro ta ketë të plotë grupin kur të nisë faza e mirëfilltë përgatitore.

Ish-sulmuesi i Skënderbeut dhe Bylisit, Saliu Guindo, është përforcimi i parë i kurbinasve në merkato. Pas tij firmosi mesfushori Klinti Qato, që vjen nga radhët e Tomorit. Përforcimi i tretë i Laçit pritet të jetë në mbrojtje dhe bëhet fjalë për një 27-vjeçar, që gjithë karrierën e tij e ka zhvilluar në Maqedoninë e Veriut me ekipin e Renovës.

Bashkim Velija shikohet si një përforcim me vlera për krahët e mbrojtës së skuadrës së Duros. Velija si rol natyral ka aktivizim në të djathtë të mbrojtjes, por mund të adaptohet shumë mirë edhe në të majtë. Pas përforcimit me nga një element në çdo repart, sulm, mesfushë dhe mbrojtje, radhën e ka porta, ku për momentin kanë vetëm Alen Sherrin.

Burime pranë kurbinasve kanë bërë me dije për “Panorama Sport” se synohet transferimi i portierit të Skënderbeut Marjo Dajsinani. Sipas zërave të merkatos, palët i kanë nisur bisedimet dhe shumë shpejt mund të mbyllet edhe kjo lëvizje te kurbinasit.