Laçi me trajnerin Shpëtim Duro e shkroi his torinë në Europë me kualifikimin ndaj Universitatea Krajovës, kështu që kurbinasit e kanë marrë me qetësi duelin me Anderlehtin. Në intervistën e dhënë për para ndeshjes, trajneri Duro pohoi se ka besim tek ekipi, si dhe tregon se çfarë u ka kërkuar lojtarëve për sfidën e sotme me belgët.
Ai falënderoi Besnik Hasin për komplimentet ndaj tij, si dhe përmendi se bëhet fjalë për një përballje klubesh me diferenca të mëdha në financa dhe cilësi lojtarësh. Duro s’premton mrekulli, por është i bindur se Laçi do të përfaqësohet denjësisht ndaj Anderlehtit, por “qan” mungesën e dy protagonistëve për sfidën e sotme, Shehu i pezulluar dhe Mazrekaj i dëmtuar.
Dy mungesa me peshë, por kurbinasit besojnë. Duro nuk preferon të flasë për premtimet e presidentit dhe të ardhmen e tij, pasi është i fokusuar vetëm te dy ndeshjet me gjigantët belgë, që nuk janë si më parë.
Si e prisni këtë takim, duke ditur se luani me një emër të madh si Anderlehti?
Sigurisht që këtë takim e presim me kënaqësi. Për një skuadër si Laçi, pa dyshim që është diçka shumë pozitive që të përballet me një kundërshtar me emër si Anderlehti.
A ka besim në ekip se mund të bëni një tjetër surprizë?
Skuadra është me moral të mirë pas kualifikimit historik ndaj një skuadre me potencial të madh si Krajova. Kam besim dhe te futbollistët shikoj që ata janë të bindur në potencialin e tyre për të bërë një paraqitje dinjitoze ndaj Anderlehtit.
Sigurisht trajneri nuk mund të thotë se do të kualifikohemi, por kam besim te skuadra për atë që ka dhënë në ndeshjet e luajtura në dy turet e para në Konferencë Ligë.
Besnik Hasi ju komplimentoi, ndërsa tha se Anderlehti vuan në sulm dhe nuk është si ai i disa viteve më parë. Ju karikon edhe më shumë kjo përshtypje e ishtrajnerit shqiptar të klubit belg?
Hasin patjetër që e falënderoj për komplimentin. Kemi punuar së bashki një periudhë kohore, kur ai ishte futbollist dhe unë përfaqësues i stafit teknik të ekipit kombëtar të Shqipërisë. Hasi është një emër që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si futbollist me Kombëtaren e Shqipërisë, por ka edhe një karrierë jashtëzakonisht të mirë si trajner në shumë skuadra.
Ai ka folur realisht, pavarësisht se dihet që Anderlehti nuk është në kohët e arta, por është një skuadër me potencial të madh financiar, si dhe me lojtarë me aftësi të mrekullueshme. Unë e kam studiuar gjatë gjithë javës nëpërmjet videove të ndeshjeve të fundit.
Anderlehti ka futbollistë cilësor, ekip që përfaqëson majat e futbollit belg.
Dje në “Elbasan Arena”, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, Vinsent Kompani i Anderlehtit dhe ish-sulmuesi Edmond Dosti
Sa jua ka prishur planet mungesa e Shehut dhe a keni ndonjë tjetër problem që nuk e kishit parashikuar në prag të kësaj ndeshjeje?
Deri më tani kemi ardhur mirë në ndeshjet europiane, ku për fat të mirë nuk kemi pasur mungesa. Por, tani na vijnë mungesat e para. Në takimin e parë me Anderlehtin do të mungojë Julian Shehu, një nga futbollistët më të spikatur në këto ndeshje, një pikë shumë e fortë për ne. Ai nuk luan se është i pezulluar për arsye kartonësh.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në seancën e së martës morëm një tjetër goditje të madhe ku do të na mungojë një nga lojtarët më të spikatur të Laçit, si në kampionat dhe në Europë, Mentor Mazrekaj. Ai ka pësuar një dëmtim muskulor në stërvitje dhe nuk pritet të jetë gati për sot.
Na mungojnë dy lojtarë, që për mendimin tim kanë qenë protagonistë në arritjen historike të Laçit në Europë. Ata na prishin shumë punë për ndeshjen e nesërme (sotme), pasi janë futbollistë që luajnë shumë mirë për sa i përket zotërimit të topit.
Si trajner, besoni te një mrekulli tjetër me Laçin në Europë?
Kemi bërë një mrekulli, por përsëri kemi përballë një skuadër shumë të fortë. Duke dituar se ekipi i ka tejkaluar objektivat, kam kërkuar nga lojtarët të luajnë qetë, ndaj një kundërshtari me nivel të lartë.
Çfarë ju ka premtuar presidenti Laska dhe pas suksesit të fundit keni folur për rinovimin?
Nuk kam dëshirë të prononcohem për premtimet apo të ardhmen time, pasi jam i përqendruar totalisht te dy ndeshjet e radhës me Anderlehtin në turin e tretë të Konferencë Ligës.