Në mesditën e sotme, Lacio zbret në stadiumin Olimpico ku pret Udinezen. Në formacionin titullar të bardhekaltërve më në fund vihet re prezenca e Tomas Strakoshës. Portieri ka kaluar të gjitha peripecitë me koronavirusin dhe tashmë është gati të tregojë aftësitë dhe të bindë të gjithë se është ai numri një i kryeqytetasve.
Kujtojmë se Strakosha mungon prej më shumë se një muaji, teksa ndeshja e fundit e shqiptarit ishte ajo e datës 20 tetor në Ligën e Kampionëve, ku Lacio mposhti 3-1 Dortmundin. Gjatë kësaj kohe të vështirë, Strakosha humbi shtatë sfida, ndërsa nuk mundi të ishte pjesë as e kombëtares.
Kështu, rikthimi i 25-vjeçarit kthen në stol Pepe Reina. Sakaq, pjesë e Lacios në sfidën ndaj Udinezes nuk do të jetë Vedat Muriqi i cili ka pësuar një dëmtim muskulor dhe është në monitorim nga mjekët. /VipSport/