Dëmtimi i futbollistit të Vllaznisë Lirim Kastrati në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias ka rezultuar më i rëndë nga sa u mendua fillimisht. Bëhet fjalë për një dëmtim ligamentit krucial dhe me shumë mundësi ai e ka mbyllur sezonin.
Megjithatë mbrëmjen e sotme ai do të ketë një takim edhe me një ortoped të njohur dhe më pas do të dilet në një vendim përfundimtar për gjendjen e tij dhe për vazhdimësinë.
Rezonanca magnetike që ka bërë menjëherë pas dëmtimit ka lënë fillimisht dyshime për një dëmtim jo shumë serioz, por pas ekzaminimeve të tjera, lajmet nuk kanë qenë pozitive. Çka do të thotë se Martini duhet t’i bëjë planet pa këtë futbollist për këtë sezon.
Kjo padyshim që përbën një shqetësim shumë të madh për të sepse Kastrati ka qenë një nga futbollistët që ka bërë diferencën në fushën e lojës, por fati i tij dhe i Vllaznisë ka qenë i tillë që ai të mos mund të jepte kontributin e tij në fazën më të rëndësishme të sezonit.


