Ditën e shtunë, Kombëtarja e Shqipërisë do të ketë një ndeshje deçizive për fatet e rrugëtimit në këto eliminatore të europianit 2020.
Kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Islandës për t’u përballur me një ekip të fortë fizikisht, ndërsa kundërshtari vitet e fundit ka fituar shumë eksperiencë pas kualifikimeve në Europian dhe Botëror.
Megjithatë, një favor për të besuarit e trajnerit Edi Reja janë mungesat në kampin kundërshtar. Nëse u bë e ditur që në fillim se Islanda në këtë sfidë nuk do të mund të mbështetej te sulmuesi kryesor Alfred Finbogason, i cili aktivizohet me Augsburgun në Bundesliga dhe garanton rrezikshmëri, tashmë në dyshim të fortë është edhe portieri Runar Aleks Runarson.
Runarson ka pësuar një dëmtim në seancën stërvitore të ditës së djeshme teksa pritej që të ishte titullar në vend të gardianit Halldorson. Në fakt, Halldorson ka qenë portieri titullar i ekipit por pasi ka pësuar një rënie forme, shpresat ishin te Runarson.
Në këtë mënyrë, kjo mund të jetë mundësia perfekte për të shfrytëzuar momentin jo të mirë të kundërshtarit dhe për të marrë maksimumin në transfertën delikate të Islandës./vipsport/