Nesër në orën 16:00, në stadiumin e Partizanit, vendasit dhe Vllaznia do të zbresin në fushë për të vendosur ndoshta sezonin e të dy ekipeve. Të kuqtë duan rikthimin te trofeu i titullit kampion pas katër vitesh “thatësirë”, ndërsa kuqeblutë kërkojnë të shkojnë edhe një herë tjetër në Europë, për të tretin vit rradhazi.

Ndoshta, në këtë ndeshje mund të ndahen pothuajse të gjitha dilemat për arritjen e objektivave të dy ekipeve. Partizanit nuk i vlen barazimi, edhe pse e lejon të shpresojë ende me një ndalesë të Tiranës. Ndërkohë nga ana tjetër, Vllaznia edhe në rast humbjeje, luan edhe një shans tjetër javën e ardhshme ndaj Laçit në Shkodër.

Ndërkohë, pasditën e sotme, të kuqtë zhvilluan edhe stërvitjen e fundit, ku trajneri Giovanni Colella i dha dorën e fundit gjithë planit të tij. Gjatë këtyre ditëve, tekniku italian ka punuar për të përgatitur skuadrën fizikisht, taktikisht dhe psikologjikisht pas humbjes në Derbi.

Koha ka qenë e mjaftueshme gjatë këtyre ditëve, me trajnerin Colella, që ka qartësuar çdo ide në lidhje me formacionin. Tekniku italian, nesër në fushë ndaj Vllaznisë, pritet të ketë një 11-she të ngjashme me atë që ka luajtur në të gjitha duelet e këtij kampionati, me përjashtim të mungesës së mesfushorit Valentino Murataj, i pezulluar me kartonë.

Ndërkohë, në dispozicion të trajnerit Colella janë të gjithë futbollistët e tjerë, ç’ka do të thotë se përveç 11-shes, tekniku italian ka edhe një stol të bollshëm dhe cilësor. Kështu sa i takon formacionit, shanset më të mëdha janë që trajneri italian ta nisë me Rexhepin në portë. Për të vazhduar me futbollistin shkodran Marçelino Preka dhe Sotën në qendrën e mbrojtjes. Krahët e mbrojtjes me shumë mundësi do t’i mbulojnë Hadroj dhe Atanaskoski.

Treshja e mesfushës ndryshon për shkak të mungesës së Muratajt, teksa në këtë repart Colella do të luajë me Rrapajn, Massanga-Matondon dhe Gueye. Ndërkohë, Hoti do të mbështesë dyshen sulmuese Mba-Da Silva, me këtë të fundit që do të luajë si ish në këtë ndeshje.

Skema 4-3-1-2 ka treguar fytyrën e një Partizani më stabël, karakteristikë kjo, që në ndeshjet e fundit është jetike. Gjatë ndeshjes, Kolela me siguri pritet të bëjë edhe modifikime, në varësi të ecurisë së sfidës, me skemën që ndoshta mund të kalojë edhe në 3-5-2, por gjithsesi një gjë e tillë mbetet për t’u parë nesër.

Ndërkohë, ndeshja Partizani-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 16:00 në stadiumin e vendasve dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë nga RTSH Sport dhe nga kanalet e OverSport në platformën TIBO, nën komentin e komentatorit Kristo Thoma. /Maringlen ZHIVANI/

Partizani (4-3-1-2): Rexhepi, Hadroj, Sota, Preka, Atanaskoski, Rrapaj, Massanga-Matondo, Gueye, Hoti, Mba, Da Silva Tr: Giovanni Colella