Një nga ndeshjet kryesore të javës së 12-të të Superligës është ajo që po luhet në këto momente mes Kukësit dhe Laçit. Dy ekipet janë përballë njëra-tjetrës në një formë të mirë, pasi si kuksianët ashtu edhe kurbinasit kanë pasur rezultate të mira së fundmi.

Por takimi që po zhvillohet tani në “Air Albania” ku laçinaët kanë kaluar në avantazhin e dy golave me Guindo, sjell një pamje të trishtë. Impianti më modern në vend dhe për të cilin janë investuar me miliona euro është thuajse tërësisht bosh. Mbështetësit e të dy skuadrave numërohen me gishtat e dorës.

Kjo ndoshta edhe për faktin se ndeshja luhet në mesjavë dhe në një orar ku shumica e njerëzve janë në punë. Apo edhe për kushtet atmosferike, ku shiu ka qenë i pranishëm në vendin tonë në javët e fundit.

Por pamje të tilla në një stadium të tillë patjetër të sjellin trishtim dhe plogështi. Duke menduar se niveli i futbollit tonë rritet nga sezoni në sezon me skuadra që edhe bëjnë mirë në Europë, kampionati sjell një varfëri të madhe tifozësh. Gjë e cila ul vlerat e këtij kompeticioni.

Endri ÇINARI