Shkruar nga Gjergj KOLA
Ditët e fundit po flitet shumë për largimin e mbrojtësit shkodran Elton Fikaj nga Panathinaikos. Fillimisht u përfol mundësia e kalimit të tij tek një skuadër tjetër e Superligës greke sepse në fakt ishin 3-4 skuadra që kishin shfaqur interes.
Por dëshira e futbollistit të kombëtares U21 të Shqipërisë ka qenë për të nisur një eksperiencë të re jashtë vendit dhe duket se kjo dëshirë po i realizohet. Gazeta “Shkodra Sport” mëson në mënyrë ekskluzive se destinacioni i ardhshëm i tij mund të jetë Polonia.
Ndërkohë mediat greke kanë zbuluar së fundi edhe emrin e klubit ku ai pritet të firmosë. Bëhet fjalë për Gornik Zabrze. Panathinaikos është treguar i gatshëm të negociojë për këtë transferim dhe pritet që të mbajë përqindje të kartonit të Fikajt, por edhe të drejtë blerje.
Nuk përjashtohet mundësia që akordi të arrihet me një ekip tjetër polak, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për momentin. Elton Fikaj ka patur 5 ndeshje me ekipin e parë të Panathinaikos dhe më tepër është aktivizuar me ekipin U19 dhe ekipin B të tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


