Monday, August 3, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORELAJMI I FUNDIT / Misteri Brajkoviç vazhdon, kroati udhëton me Vllazninë në...

LAJMI I FUNDIT / Misteri Brajkoviç vazhdon, kroati udhëton me Vllazninë në Pukë

Nga Maringlen ZHIVANI

Para nisjes së sezonit të ri të Abissnet Superiore, një nga çështjet që vazhdon të ngjallë interes në kampin e Vllaznisë është ajo e mbrojtësit të djathtë Bruno Brajkoviç. Futbollisti 25-vjeçar kroat ishte afrimi i dytë zyrtar i kuqebluve gjatë merkatos së kësaj vere dhe pritej të sillte konkurrencë e cilësi në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Megjithatë, deri në këtë fazë të përgatitjeve ai ka mbetur pothuajse në hije. Në ndeshjet miqësore të zhvilluara nga skuadra e drejtuar nga Edi Martini, Brajkoviç është aktivizuar shumë pak, ndërsa në testin e fundit ndaj Burrelit nuk u aktivizua për asnjë minutë. Edhe më interesant është fakti se lojtari nuk ka pasur ndonjë dëmtim që ta ketë mbajtur jashtë fushës, çka ka shtuar pikëpyetjet për situatën e tij.

Zgjedhjet e stafit teknik kanë lënë të kuptohet se, të paktën deri tani, kroati nuk ka arritur të fitojë besimin e plotë të trajnerit Martini. Konkurrenca në repartin defensiv është rritur ndjeshëm dhe minuta e pakta në miqësore tregojnë se ai nuk konsiderohet ende një alternativë prioritare.

Megjithatë, zhvillimi i fundit tregon se e ardhmja e tij nuk është vendosur ende. Brajkoviç ka udhëtuar bashkë me ekipin në Pukë, aty ku Vllaznia do të zhvillojë disa ditë përgatitje intensive dhe do të luajë edhe dy ndeshje miqësore. Kjo do të thotë se stafi teknik vazhdon ta mbajë në grup dhe do t’i japë mundësinë të tregojë vlerat e tij.

Ditët në Pukë pritet të jenë vendimtare për mbrojtësin kroat. Nëse arrin të bindë trajnerin me paraqitjet e tij, ai mund të fitojë një vend në planet e Vllaznisë për sezonin e ri. Në të kundërt, nuk përjashtohet që klubi të marrë një vendim tjetër për të ardhmen e tij, edhe pse për momentin aventura e Brajkoviç me kuqeblutë vazhdon.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments