Nesër në orën 16:00, në stadiumin e Partizanit, vendasit dhe Vllaznia do të zbresin në fushë për të vendosur ndoshta sezonin e të dy ekipeve. Të kuqtë duan rikthimin te trofeu i titullit kampion pas katër vitesh “thatësirë”, ndërsa kuqeblutë kërkojnë të shkojnë edhe një herë tjetër në Europë, për të tretin vit rradhazi.
Ndoshta, në këtë ndeshje mund të ndahen pothuajse të gjitha dilemat për arritjen e objektivave të dy ekipeve. Partizanit nuk i vlen barazimi, edhe pse e lejon të shpresojë ende me një ndalesë të Tiranës. Ndërkohë nga ana tjetër, Vllaznia edhe në rast humbjeje, luan edhe një shans tjetër javën e ardhshme ndaj Laçit në Shkodër.
Ndërkohë, pasditën e sotme, kuqeblutë zhvilluan edhe stërvitjen e fundit, ku trajneri Goçe Sedloski i dha dorën e fundit gjithë planit të tij. Gjatë këtyre ditëve, tekniku maqedonas ka punuar për të përgatitur skuadrën fizikisht, taktikisht dhe psikologjikisht.
Koha ka qenë e mjaftueshme gjatë këtyre ditëve, por trajneri Sedloski akoma nuk i ka qartësuar idetë në lidhje me formacionin, pasi ka ende dilema në kokën e tij. Tekniku maqedonas, nesër në fushë ndaj Partizanit, pritet të ketë një 11-she të ngjashme me atë që ka luajtur në të gjitha duelet e deritanishme të tij.
Megjithatë, siç dihet tashmë, Vllaznia do të ketë jo pak, por tre mungesa në përballjen e nesërme ndaj Partizanit. Për këtë përballje, Goçe Sedloski, do të duhet të bëjë pa tre titullarë të rëndësishëm, të cilët po mungojnë prej disa ndeshjesh. Në këtë betejë mjaft vendimtare, kuqeblutë nuk do të kenë kapitenin Erdenis Gurishta, Geralb Smajlin dhe Esat Malën, të cilët janë të dëmtuar dhe kanë humbur edhe sezonin.
Sa i takon formacionit të mundshëm, Sedloski pritet të startojë me një 4-2-3-1, por që si opsion është edhe skema 4-4-2. Zogoviç mësohet se do të jetë sërish në portë në përballjen e javës së 34-të të Abissnet Superiore.
Në mbrojtje pritet të startojnë Kruja, njëri mes Juriç dhe Shehit, Bulatoviç e Hakaj. Në mesin e fushës Boshnjaku dhe Marku. Ndërkohë, treshja Çoba, Jonuzi dhe Latifi do të mbështesin në sulm Bekim Balajn.
Një opsion tjetër është që të luhet edhe me skemën 4-4-2, me Boshnjakun që mund të ulet në stol dhe nga fillimi ta nisë Ardit Hoxhaj, që mund të formojë dyshen e sulmit pastaj me Balajn. Megjithatë, kjo skemë ka pak shanse të përdoret dhe gjasat janë që të luhet me 4-2-3-1 e zakonshëm.
Ndeshja Partizani-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 16:00 në stadiumin e vendasve dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë nga RTSH Sport dhe nga kanalet e OverSport në platformën TIBO, nën komentin e komentatorit Kristo Thoma. /Maringlen ZHIVANI/
Varianti i parë (4-2-3-1): Zogoviç, Kruja, Juriç (Shehi), Bulatoviç, Boshnjaku (Hoxhaj), Marku, Çoba, Jonuzi, Latifi, Balaj Tr: Goçe Sedloski
Varianti i dytë (4-4-2): Zogoviç, Kruja, Juriç (Shehi), Bulatoviç, Hakaj, Çoba, Jonuzi, Marku, Latifi, Hoxhaj, Balaj Tr: Goçe Sedloski