Ndeshja e nesërme ndaj Teutës është te dera dhe te Vllaznia nuk janë fort të qetë. Gjithsesi, vëmendja është maksimale te ndeshja me durrsakët. Me dy mungesa të sigurta në sfidën e nesërme ndaj Teutës, siç janë Latifi dhe Boshnjaku, tashmë stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Mirel Josa, i ka marrë masat se kush do t’i zëvendësojë dhe do të jetë nga minuta e parë në fushën e lojës, me takimin që do të startojë në orën 17:45, në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës.

Në prag të sfidës me Teutën, trajneri Mirel Josa duket se e ka marrë vendimin e tij përfundimtar se kë do të lërë në fushën e lojës. Me kthimin e Bulatoviç, Josa duhet të sakrifikojë dhe të ulë në stol Dajan Shehin.

“Shkodra Sport” mëson se në portë nuk do të ketë ndryshime në krahasim me ndeshjet e fundit të kampionatit, teksa do të vazhdojë të jetë sërish Zogoviç. Ndërkohë, në mbrojtje priten ndryshime nga ndeshja e fundit me Flamurtarin. Kapiteni Gurishta do të luajë në të djathtë, në qendër do të jetë Juriç me Bulatoviç të rikthyer nga dëmtimi tashmë, ndërsa në të majtë Hakaj.

Në mesfushë, Heriç, Alivoda dhe Jonuzi, ndërsa nga krahët Mala dhe Marku. Sulmi me shumë mundësi do të jetë sërish me Ardit Hoxhajn në maje. Për ta thënë shkurt, Josa ka një problem të madh, pasi nuk ia mbushin mendjen as Aralica dhe as Kaina për në majë të sulmit.

Ndryshimi që do të jetë në krahasim me sfidën e fundit ndaj Kastriotit në kampionat, është Shehi në vend të Bulatoviç. Kjo është 11-shja që trajneri Mirel Josa do të hedhë në fushën e lojës nesër ndaj Teutës, teksa këta futbollistë pritet të tregojnë vlerat e tyre në këtë ndeshje ndaj durrsakëve, duke u munduar të japin më të mirën e tyre në fushën e lojës.

Realisht, dueli me Teutën do të shërbejë për ta parë Vllazninë ndryshe pas humbjes në Kupë ndaj Flamurtarit, 2-1. Ndeshja Teuta-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, duke nisur nga ora 17:45 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport” dhe nga RTSH Sport. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-5-1): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Mala, Heriç, Alivoda, Jonuzi, Marku, Hoxhaj Tr: Mirel Josa