Vllaznia është drejtuar dje për të fundit herë nga Hasan Lika. Seanca e paradites ishte ajo e lamtumirës për trajnerin që e çoi ekipin deri në javën e 20-të. Tekniku 59-vjeçar është përcjellë mes duartrokitjeve prej futbollistëve. E megjithatë, tashmë çështje për t’u zgjidhur mbetet ajo e pasardhësit të tij.

Vetë klubi kur komunikoi mbylljen e marrëveshjes me Likën, ndër të tjera shkruante: “Brenda një periudhë shumë të shkurtër, KF Vllaznia do të bëjë publik edhe emrin e trajnerit të ri që do të angazhohet për drejtimin e skuadrës së parë deri në fund të sezonit”.

Megjithatë, nga sa mësohet prej “Panorama Sport”, ekipi nga dita e sotme dhe deri sa të vendoset “timonieri” i ri do të stërvitet prej pjesës tjetër të stafit, konkretisht nga Safet Osja e Ideal Lekiqi.

Gjithsesi, në skenë kanë dalë direkt emrat e parë për pankinën. Luan Zmijani, Altin Xhahysa dhe Elvis Kraja janë kandidatë, por edhe Agim Canaj nuk mund të përjashtohet si mundësi, derisa ka qenë alternativë edhe para afrimit të Hasan Likës.