Karlos Garsia largohet zyrtarisht nga Flamurtari. Lajmi i ditëve të fundit, konfirmohet. Gazeta zbulon se pasditen e djeshme është zhvilluar takimi mes administratorit Sinan Idrizi dhe trajnerit Karlos Garsia.

Idrizi e ka falënderuar 41-vjeçarin për punën e deri tanishme, duke i uruar suksese. Mësohet se mes ish-trajnerit dhe klubit është arritur edhe marrëveshja e ndërprerjes me konsensus të kontratës, edhe sa i përket termave financiare. Klubi njoftoi mbylljen e bashkëpunimit me Karlos Garsia edhe nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale.

“Flamurtari njofton se ka përfunduar me konsensus bashkëpunimin me trajnerin Karlos Garsia. Klubi e falënderon për profesionalizmin, qytetarinë dhe vlerat që ka treguar gjatë periudhës së tij në drejtimin e skuadrës sonë. Flamurtari F.C. i uron suksese në vazhdim të karrierës dhe e falënderon për kontributin e dhënë në klubin tonë”, thuhet në deklaratën e klubit.

PRAPASKENAT Karlos Garsia qëndroi në Vlorë tri ditë pas ndeshjes të humbur me Dinamon. Shkarkimi i tij mori rrugën pas takimit në Tiranë, por u konfirmua për gazetën nga klubi edhe dy ditë më parë. Tekniku nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen dhe priti një takim me Sinan Idrizin, që u realizua vetëm pasditen e djeshme. “Panorama Sport” mëson se Garsia u komunikoi lojtarëve përpara ndeshjes me Dinamon se do të bënin tri ditë pushim, por kjo “dhuratë” nuk ka rezultuar efikase. Stafi teknik i Garsias është larguar në drejtim të Spanjës për pushime, por mesa duket për të mos ardhur më.

Javier Visea dhe Anibal Gonzales, si dhe disa nga lojtarët e huaj, janë larguar bashkë me Garsian. Gjithashtu, disa nga lojtarët e huaj kanë “fluturuar” pranë familjeve të tyre në vendlindje. Sot është parashikuar nisja e përgatitjeve, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do t’i drejtojë vlonjatët. Nën drejtimin e Karlos Garsias, Flamurtari shënoi një bilanc tejet negativ, me dy pikë të grumbulluara në gjashtë javë pa asnjë fitore. Spanjolli erdhi me bujë në Vlorë. Klubi, por edhe tifozët, prisnin shumë prej tij, por ai nuk arriti të bëjë gjëra të mëdha, përkundrazi, e “zhyti” skuadrën në fund.