Ndonëse ka vetëm tre javë që ka nisur kampionati i kategorisë së dytë, një tjetër trajner jep dorëheqjen. Një situatë disi e pakuptimtë sepse gara sapo ka nisur megjithatë tashmë ky është realiteti.

Shkumbini i Peqinit ka mbetur pa trajner sepse Lorenc Pashja ka dhënë dorëheqjen. Atij i kanë mjaftuar vetëm tre javë që bashkë me stafin e tij të largohen nga pankina peqinase, me një bilanc prej një fitoreje dhe dy humbjesh rresht.

“Rezultatet dhe loja në dy ndeshjet e fundit kanë qenë zhgënjyese dhe larg pritshmërive, pas afro 50 ditëve punë në klub. Kështu që vendosa të largohem”- është shprehur në një prononcim të shkurtër ish- trajneri teksa ka dhënë edhe arsyet e dorëheqjes

Sipas informacioneve, deri në emërimin e një trajneri të ri, pankinën e Shkumbinit do ta menaxhojë administratori i klubit, Florenc Hasbajrami.

Largimet e trajnerëve në futbollin shqiptar janë kthyer në një gangrenë të vërtetë dhe në fakt ato vazhdojnë të jenë të pambrojtur në të gjitha aspektet. Një situatë që nuk ka gjasa të ndryshojë, të paktën edhe për një periudhë jo të shkurtër.(www.shkodrasport.com)