Vllaznia e viteve ’70 në gjimnastikë dhuroi rezultate të larta sportive tek ekipi i meshkujve. Në kampionatin e vitit 1975 ky ekip u shpall kampion i vendit dhe po të njëjtën gjë edhe një vit më vonë.

Një sukses ky i merituar i këtij ekipi, falë punës së trajnerit Nush Cipriani (Nika) dhe të sportistëve Veselin Zako, Gjovalin Mikeli, Latif Kashi, Tonin Gjoni, Arshi Sula, Lec Nika, Sadetin Fishta e Mustaf Rama.

Rezultatet e larta sportive të këtij ekipi gjatë këtyre viteve janë shoqëruar me nderimin që i bëri Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia disa prej pjestarëve të tij duke u dhënë titullin “Mirënjohje”.

Një prej të nderuar ka qenë edhe Latif Kashi, një nga gjimnastet më të dalluar të Vllaznisë së atyre viteve.

Në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport”, ai do të shprehej: “Ka qenë një kontribut i madh që kemi dhënë për këtë sport, nën drejtimin e një trajneri të madh, të palodhur dhe me shumë eksperiencë si Nush Cipriani. Jam i lumtur që kam kontribuar në sukseset e ekipit të Vllaznisë. Kanë qenë vite të bukura dhe padyshim që jemi të lumtur për atë që i kemi dhënë këtij sporti”.
Gjergj KOLA