Nëse Kukësi kalon Debrecenin, në raundin e dytë do të përballet me Torinon. Ndeshja e parë është e llogaritur për t’u zhvilluar në transfertë më 25 korrik, e megjithatë duket se gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet italianëve.

Më datë 17 korrik këngëtarët Laura Pauzini dhe Biazho Antonaçi kanë organizuar një koncert në stadiumin “Olimpik Grande Torino”. Dashur pa dashur terreni do të prishej dhe koha e rikuperimit do të ishte shumë pak, deri në ditën kur ekipi italian do të përballej me kuksianët ose hungarezët.

Të vendosur para kësaj situate, italianët kanë bërë një kërkesë që ndeshjen e parë ta luajnë në transfertë dhe të kthimit në shtëpi, por kjo gjë është refuzuar kategorikisht prej kuksianëve dhe Debrecenit. Të vendosur para kësaj situate, në Torino kanë filluar që të mendojnë për të gjetur tjetër stadium për të pritur çiftin fitues të Debrecen-Kukës për turin e dytë të Ligës së Europës. Dhe pasi kanë shqyrtuar disa pista, më e mundshmja është ajo e Alesandrias.

“Giuseppe Moccagatta”, një impiant prej 6000 vendesh është gati që t’i hapë dyert torinezëve. Këta të fundit do të japin fillimisht vendimin e tyre dhe më pas do të jetë UEFA ajo që duhet të japë Ok-in, nëse ky stadium i plotëson apo jo parametrat e kërkuara për këtë tur.

Një lëvizje e tillë do të favorizonte padyshim Kukësin, pasi në një impiant më të vogël dhe më me pak spektatorë, do e kishte më të lehtë realizimin e misionit.