Prej shumë vitesh, Kategoria Superiore ka përfituar nga izolimi i Kosovës duke afruar lehtësisht yjet më të mëdhenj të futbollit nga ky vend.

Shikueshmëria dhe rroga më të larta se në Kosovë, ishin ato që garantonin klubet e Superiores dhe futbollistët kosovarë ishin të lumtur që të bëheshin pjesë e futbollit tonë.

Por situata po ndryshon dhe vetëm dy sezonet e fundit janë sinjal i qartë se Superiorja shumë shpejt mund të mos jetë kampionati që ofron kushte më të mira për futbollistë dhe këto të fundit të kalojnë kufirin për të luajtur në Kosovë.

Sponsorët e klubeve në Kosovë kanë rritur ndjeshëm pagesat dhe këtë e tregon qartësisht fakti se atje janë transferuar disa trajnerë të njohur nga Shqipëria, të cilët paguhen më mirë se homologët e tyre që kanë qëndruar në Superiore.

Por nuk janë vetëm trajnerët, edhe rrogat e futbollistëve janë rritur ndjeshëm. Shembulli më i fundit është ai i Artur Maganit.

Sulmuesi u transferua vitin e kaluar te Liria e Prizrenit për të gjetur hapësira dhe për të treguar vlerat e tij.

Pas golave të shumtë të shënuar me fanellën e Lirisë, normalisht mendohej se Magani do të kthehej përsëri në Shqipëri, te ndonjë klub i rëndësishëm.

Por nuk ka ndodhur kështu, pasi ai ka vendosur të vihet nën urdhrat e Sulejman Starovës te Feronikeli.

Arsyeja është shumë e thjeshtë: Askush në Shqipëri nuk i garantonte rrogën e lartë për të cilën ka firmosur te klubi kosovar.

Sipas asaj që shkruhet nga “Zeri”, rroga aktuale e Artur Maganit është 2500 euro në muaj, ose më saktësisht 30 mijë euro në vit.

Rroga të tilla kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Kosovë e nëse vazhdohet me këto hapa, shumë shpejt ata pritet të kalojnë të Superiores, ku shifra si ato që përfiton aktualisht Magani, janë të pamendueshme për shumicën e lojtarëve të kampionatit shqiptar. Në Superiore ka ardhur koha që të fillojnë të shqetësohen… /vipsport/