Patjetër që ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranes ditën e shtunë tërheq vëmendjen e të gjithëve. Klasikja e futbollit tonë është një pjesë e artë e historisë së tij. Për “Shkodra Sport” flet në mënyrë ekskluzive edhe një prej ikonave të Tiranes, Elvis Sina.

Ish-kapiteni bardheblu që është edhe futbollisti më me shumë tituj në historinë e futbollit shqiptar shprehet për Tiranen e tij, por edhe emocionet që fal Klasikja. Më poshtë keni edhe intervistën me rekordmenin e futbollit shqiptar.

– Si e shikon Sina Tiranen e tij pas kësaj fitoreje në Derbi?

Pas kësaj fitoreje në derbi kundër Partizanit konfirmoi formën e mirë që kishte. Ajo ndeshje jep një karikim dhe motivim ekstra për vijimin dhe Tirana tashmë po vazhdon me një formë të mirë prej disa javësh. Nëse shoh një problem është gjendja fizike e futbollistëve që pasi patën probleme me Covid-19 ende nuk janë në 100% të tyre. Vetëm këtë shoh si problem aktual në syrin tim.

– Sa i lartë mund të jetë morali pas kësaj fitoreje kundër Partizanit në ambientin bardheblu?

Morali mendoj se është më i lartë se kurrë. Por, nuk duhet kaluar në eufori pavarësisht se të fitosh derbin nuk mund të jetë asnjëherë si të fitosh në një ndeshje të zakonshme.


– Po kampionati në përgjithësi si ju duket? Kë shikoni si favorit?

Them se do jetë një kampionat goxha i ekuilibruar deri në fund. Shoh Tiranen favorite, por edhe Vllazninë, si edhe Teuten nuk e shoh prapa. Dinamo gjithashtu besoj do jetë surprizë deri në fund. Kanë një grup që luajnë për herë të parë bashkë dhe do jenë konkurrues deri në fund. Për ekipet e tjera do tregojë koha se çfarë do japin.


– Flasim pak për Klasiken, Vllaznia – Tirana që luhet të shtunën. Si e mendoji sfidën?

Kjo është një ndeshje reklamë për futbollin tonë. Ka pasur, ka dhe do ketë gjithmonë rivalitet. Patjetër që është derbi i Shqipërisë pasi mbart një histori të pasur. Ky është një takim që nuk duhet humbur nga askush dhe të gjithë duhet ta ndjekin një ndeshje të tillë. Besoj se do jetë një duel shumë i fortë.

– Ju vetë kishit emocione kur luanit në Shkodër gjatë karrierës tuaj?

Patjetër që gjithmonë ka pasur emocione kur vija në Shkodër si kundështar. Kjo për shkak të asaj tifozerie aq të zjarrtë që do Vllazninë, Shkodrën, por edhe futbollin. E madje që respekton edhe kundërshtarin. Mund të them se Shkodra është një kulturë tifozerie dhe aty është kënaqësi dhe emocion pozitiv gjithmonë të luash. Ka pasur problematika në vite, por që liheshin brenda fushës sepse në Shkodër realisht fitonte më i miri edhe ai që e meritonte.


– A është Klasikja apo Derbi i ndeshja më e ndjerë për ju si një ish-ikonë bardheblu?

Klasikja është ndeshja që ndoshta të gjithë e shohin, madje edhe jashtë vendit. Është ndeshja ku përplasesh, lufton dhe do që ta fitosh patjetër dhe mbart emocion të madh. Por, derbi besoj ka ndjesi tjetër sepse janë dy ekipe të një qyteti që përplasen dhe për mua personalisht si ish-futbollist i Tiranes ishte ndeshja e jetës nëse mund ta cilësoj kështu.


– Një parashikim i fundit për ndeshjen Vllaznia – Tirana?

E thashë edhe më sipër që do jetë një ndeshje shumë e fortë dhe nuk mund të jap një parashikim të saktë. Vllaznia më duket si më favorite ndoshta sepse luan në shtëpinë e saj dhe para tifozëve të vet. Patjetër që dëshiroj të fitojë Tirana, por e shoh të vështirë. Parashikoj një ndeshje barazim dhe me shumë spektakël brenda.
Endri ÇINARI